Ndër të parat që mori vaksinën kundër koronavirusit, infermierja rrëfen eksperiencën

Kristen Choi, një infermiere që mori pjesë në provën e fundit të vaksinës së Pfizer Inc. ka deklaruar se përjetoi disa efekte anësore që e bënë të ndjehej sikur ishte infektuar me koronavirus.

Ajo u regjistrua në këtë studim në muajin gusht dhe mori dy doza të vaksinës eksperimentale.

Pas dozës së dytë, ajo pati dhimbje koke, të përziera, të dridhura dhe ethe e temperaturë që shkoi deri në 40.5 gradë celsius.

Infermierja shtoi se simptomat iu zhdukën brenda 24 orësh, duke theksuar faktin se mjekët i paralajmërojnë pacientët për efektet anësore të vaksinës.

“Është e mundur që shumica e personave që do marrin vaksinën mund të kenë një ose më shumë nga këto reagime ndaj vaksinës. Për fat, eksperienca ime, ku të gjitha simptomat u shfaqën së bashku, duket e rrallë,” tha ajo.

Ajo ka deklaruar se efektet anësore tek vaksinat janë normale.

“Prandaj mjekët dhe infermierët duhet të jenë të përgatitur për të bërë bisedën e duhur me njerëzit përpara vaksinimit”, tha ajo.