Ndarja e barabartë e trashëgimisë dhe pasurisë sipas Kodit Civil të Republikës së Kosovës

Ndër zhvillimet më të rëndësishme në fushën e përmirësimit të mëtejshëm të infrastrukturës ligjore në Republikën e Kosovës është kodifikimi i ligjeve civile në të ashtuquajturin “Kodi Civil i Republikës së Kosovës”. Një iniciativë e Ministrisë së Drejtësisë, e mbështetur qysh në fillim nga Projektet e Bashkimit Evropian Faza 1, nga 2014-2016 dhe Faza 2 nga muaj shkurt i viti 2017 dhe që është aktualisht në implementim e sipër.

Qëllimi i këtij projekti është fuqizimi i sundimit të ligjit në Kosovë dhe mbështetja për hartimin e një Kodi Civil modern në pajtim me praktikat më të përparuara Evropiane dhe Kushtetutën e Kosovës të cilat trajtojnë si të barabartë të gjithë qytetarët, pa diskriminim në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.

Kodi Civil përbëhet prej dispozitave ligjore për të drejtën e detyrimeve, të drejtën pronësore, të drejtën familjare dhe atë trashëgimore. Është sistemuar në 5 Libra, Libri 1-Pjesa e përgjithshme, Libri 2-Detyrimet, Libri 3- pronësia dhe të drejtat tjera sendore, Libri 4-Familja dhe Libri 5 –Trashëgimia.

Hartimi i Kodit Civil, i mbështetur tërësisht mbi parimet themelore të Kushtetutës së Kosovës, është rezultat i një pune disa vjeçare intensive që ka përfshirë një numër të madh të ekspertëve më të mirë ligjorë të vendit dhe të huaj. Në mënyrë të kuptueshme projekti ka zgjuar interesimin e shumë aktorëve të ndryshëm nga sfera të ndryshme të jetës së vendit, nga institucionet, shoqëria civile, odat e avokatëve, noterëve, gjykatat si dhe shoqatave të sipërmarrjes dhe biznesit. Si pjesë e fushatës së gjerë të vetëdijesimit të qytetarëve gjatë procesit të hartimit të Kodit Civil, janë organizuar më shumë se 30 tryeza të rrumbullakëta dhe seminare në tërë Kosovën. Përmes një procesi të vazhdueshëm transparent çdo vërejtje dhe sugjerim është marrë në konsideratë duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e ligjeve si edhe harmonizimin e interesave të gjithë segmenteve të shoqërisë me theks të veçantë tek grupet e margjinalizuara siç janë për shembull gratë dhe fëmijët.

Por çfarë risish sjell konkretisht Kodi Civil në mbrojtjen dhe pasqyrimin e interesave të këtyre grupeve? Me të drejtë, çështja e të drejtave pronësore të grave ka një ndjeshmëri të veçantë duke mbajtur parasysh rrethanat historike dhe kulturore në vend. Ligji ekzistues që rregullon rregjimin e pronës së bashkëshortëve linte hapësirë për një trajtim jo adekuat në rastet e ndarjes së pasurisë mes bashkëshortëve pas një shkurorëzimi. Me Kodin e ri Civil ky shqetësim është adresuar duke konsideruar të dy bashkëshortët pjesëmarrës të barabartë në krijimin e pasurisë së përbashkët në mënyrë të atillë që të njihet dhe puna e papaguar e grave brenda martesës, siç është kujdesi për fëmijët, menaxhimi i pronës familjare, etj. Me Kodin Civil, Libri 4, pasuria e përbashkët e bashkëshortëve është e barabartë.

Gjithashtu me Kod Civil është paraparë edhe kontrata paramartesore dhe martesore, ku në mënyrë të lirë bashkëshortët mund të vendosin për marrëdhëniet pasurore në martesë.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm që është trajtuar në Kodin Civil lidhet me mbrojtjen e interesave të fëmijëve brenda lidhjes martesore. Shqetësim kanë përbërë procedurat komplekse për marrjen e vendimit të kujdestarisë në rastin e shkurorëzimit dhe pasqyrimit sa më të drejtë të interesave dhe vullnetit të fëmijëve. Në Kodin e ri Civil i është kushtuar vëmendje e duhur vullnetit të tyre nisur nga përvojat e përparuara të shteteve të ndryshme të Bashkimit Evropian të cilat gjithnjë e më shumë i trajtojnë fëmijët jo si një objekt i vullnetit të prindërve por si subjekte me të drejtat e tyre të patjetërsueshme. Kodi i ri Civil detyron ligjërisht gjykatat që të marrin parasysh mendimin e fëmijëve prej moshës 6 vjeç duke përcaktuar procedurat e nevojshme brenda ose jashtë seancës gjyqësore për vjeljen e mendimit të tyre.

Kodi i ri Civil ofron gjithashtu mekanizma të përparuar ligjor për mbrojtjen e anëtarëve të familjes së zgjeruar në sferën e pronës dhe trashëgimisë duke evituar qasjet patriarkale, një tjetër fenomen prezent në shoqërinë tonë. Për këtë arsye në Kodin Civil janë paraparë dispozitat e nevojshme për të siguruar që të gjitha marrëdhëniet pasurore – juridike mes anëtarëve të familjes së zgjeruar të bazohen në një kontratë ligjore. Me këtë zgjidhje evitohen problemet me rastin e ndarjes së pasurisë së përbashkët si dhe ndarjen e trashëgimisë.

Sigurisht, që këto dispozita të jenë të dobishme e të zbatueshme lind nevoja për rritjen e vetëdijes, edukimit dhe informimit të gjithë qytetarëve të përfshirë në këto situata familjare, një proces që kërkon angazhimin e sinqertë të shoqërisë civile, botës akademike, qeverisjes qendrore e lokale, sistemit të drejtësisë dhe gjithë atyre aktorëve e faktorëve që janë pjesë e rëndësishme përbërëse e jetës së përditshme të shoqërisë sonë. /Ballkani.info/