Ndalon veturën për të bërë foto në urën e autostradës ‘Arbën Xhaferi’, dënohet me 60 euro (FOTO)

Në autostradën Prishtinë-Han i Elezit, e cila u përurua ditë më parë, është ndërtuar edhe një nga urat më të mëdha në rajon.

Kjo urë gjendet saktësisht në mes Kaçanikut dhe Hanit të Elezit, e gjithashtu iu kishte lënë përshtypje shumë qytetarëve në ditën e përurimit.

Banorë të shumtë kishin marrë pjesë në hapjen e kësaj ure, ku edhe e kishin shfrytëzuar mundësinë për të bërë fotografi.

Por, pas hapjes, ndalesa në këtë urë për të pushuar nuk është e lejuar, përkundrazi mund të gjobiteni nga Policia e Kosovës.

Një lexues i Ballkani.info, ka thënë se pasi ka ndaluar në këtë urë për të bërë një pushim të shkurtër dhe për të bërë ndonjë fotografi, është dënuar nga policia me 60 euro gjobë.

“Për të bërë foto në urën gjigande, pason dënimi prej 60 euro dhe marrja e shoferit deri në 3 muaj, për shkak të pengimit në komunikacion”, ka thënë ky lexues.

Në fund, ai ka thënë se nuk ka qenë në dijeni se është duke bërë shkelje të rregullave të komunikacionit edhe pse sipas Nenit 161 të Ligjit Nr. 05-L-088 për Rregullat e Trafikut Rrugor, theksohet se dënimi për ndalje në autostradë është 60 euro. /Ballkani.info

Foto e dënimit:

Përshkrimi i dënimit bazuar në Nenin 161 të Ligjit Nr. 05-L-088 për Rregullat e Trafikut Rrugor:
Ndalja në autostradën ‘Arbën Xhaferi’, arsyeja: mbi urë