Ndalohet për 48 orë në paraburgim, dyshohet se fitoi tender me dokument të falsifikuar

Një person është ndaluar i akuzuar për keqpërdorim dhe mashtrimin në prokurim publik, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Gjilan.

Siç njofton kjo prokurori, A.K. dyshohet se ka falsifikuar një dokument zyrtar, kinse të lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes, me të cilin dokument ka aplikuar dhe e ka fituar një tender publik në vitin 2021, Komuna e Gjilanit.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, në koordinim me Policinë e Kosovës – Njësinë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Gjilan, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orëve të dyshuarin A.K., për shkak të veprës penale ‘keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’, nga neni 415 paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim e Prokurorisë.