Nazim Sahiti që u përfshi në rrahjen e Agron Mustafës kthehet si drejtor i Krimeve Ekonomike në Polici

Gjykata e Apelit ka njoftuar se e ka kthyer në postin e Drejtorit të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Nazim Sahitin.

Një vendim i tillë vjen pas degradimit që i ishte bërë në tetor të vitit 2018, duke e transferuar në pozitën e zyrtarit të Departamentit për Kufij.

Sahiti në atë kohë ishte përfshirë edhe në rrahjen e ish-drejtorit të PTK-së, Agron Mustafa.

Ai pati dërguar rastin në Gjykatën Themelore që i dha të drejtë, por Policia nuk e kishte kthyer në detyrë pasi ishte ankuar në Gjykatën e Apelit. Së fundmi, Apeli ka vendosur në anën e Sahitit.

Sipas aktgjykimit, është aprovuar si e bazuar ankesa e Sahitit dhe është anuluar vendimi i Policisë, që është cilësuar si i kundërligjshëm.

Policia është detyruar ta kthejë Sahitin në pozitë dhe që t’ia paguajë diferencën e pagës dhe beneficionet prej 761 euro të pagës neto, dhe detyrohet t’ia paguajë 86 euro në trust, e rreth 60 euro në Administratën Tatimore të Kosovës, me kamatë 8 për qind për shtatë ditë nga marrja e aktgjykimit, nën kërcënim të përmbarimit.