Navalny padit autoritetet e burgut pasi nuk ia dhanë Kuranin

Lideri opozitar rus Alexei Navalny i cili është i burgosur, ka thënë të martën se do të padit autoritetet e qendrës së burgut ku është, për mbajtje të Kuranit, të cilin ai kishte qëllim ta studionte ndërsa do të ishte i burgosur jashtë Moskës.

Navalny ka qenë në grevë urie për dy javë, duke protestuar refuzimin e zyrtarëve të burgut që ta linin mjekun e tij ta ekzaminonte pasi i ishte shfaqur dhimbja e shpinës dhe këmbës. Por, në një postim në Instagram ai tha se padia e tij e parë kundër zyrtarëve të burgut kishte lidhje me librin e shenjtë të myslimanëve, raporton AP.

“Problemi është se, ata nuk po ma japin Kuranin tim. Dhe kjo më acaron”, ka thënë Navalny, ndërsa shtoi se “studimi i thellë” i Kuranit është një nga disa qëllimet për “vetëpërmirësim” që i ka vënë vetes ndërsa ishte në burg. Navalny ka shtuar se nuk i është dhënë qasja në asnjë nga librat të cilët i ka sjellë apo ka porositur muajin e fundit, sepse ata të gjithë duhet të “inspektohen për ekstremizëm”, gjë të cilën zyrtarët thonë se u duhen tre muaj.

“Kështu që shkruajta edhe një peticion ndaj drejtorit të burgut dhe ngrita një padi”, tha Navalny. “Librat janë gjithçka që kemi, dhe nëse duhet që të padis për të drejtën time për të lexuar, atëherë do të padis”.