Natyra Kuçi i përgjigjet Ismet Kryeziut që i quajti arrogantë aktivistet e PSD-së

Anëtarja e PSD-së, Natyra Kuçi, ka thënë se i vjen keq që i “kanë prishur” rehatinë Ismet Kryeziut nga KDI që i akuzoi aktivistet e PSD-së për aksionin ndaj kryeministrit Avdullah Hoti.

“Sjellja dhe arroganca e aktivisteve partiak për të penguar takimin e shoqërisë civile me kryeministrin, nuk paraqet vlere demokratike. Përkundrazi tregon varfrin e kreativitet politik që ka përfshire subjekte të caktuara politike, ne rastin e sotëm PSD-në”, kishte thënë Kryeziu në Facebook.

Ndërsa Natyra Kuçi ka thënë se po të ishte ajo në vend të Kryeziut do i vinte keq të shkruante këtë reagim.

“Po mund të them se Ismeti ka shkruar diçka që me të vërtetë më kish ardhur keq me e shkru unë. E vërtetë që i kemi prishur pak rehatinë. Por të thirresh në kauzë të drejtë nuk bën problem prishja e rahatisë. Nuk e kemi bërë kundër tij por është një kauzë e drejtë që duhet të bëhet kudo”, shtoi ajo në emisionin Pressing.