Nasim Haradinaj: Brigada që e bëri luftën në Koshare ishte nën urdhrat e Ramush Haradinajt

Nasim Haradinaj nga OVL UÇK, njëri nga komandantët në Betejën e Koshares, ka thënë se Ministri i tanishëm i FSK-së i ka shkelur atij marrëveshjen.

Haradinaj në RTV Dukagjini ka thënë se janë marrë vesh që për Kosharen të flasin vetëm Nasim Haradinaj, Rrustem Berisha dhe Xhafer Gashi.

“Rrustem Berisha nuk e ka realizuar kurrë atë marrëveshje, madje e ka thyer atë marrëveshje…Edhe sot i them, të mos vonohet Rrustem Berisha të ulet me mua, pavarësisht nëse është apo jo ministër”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Nasim Haradinaj ka thënë se Ramush Haradinaj nuk ka qenë i kënaqur me ritmin e luftës në Koshare edhe me të personalisht.

“E dinë ai mirë se katër herë e kam shtyrë mbrapa urdhrin për ta shkarkuar nga detyra e komandantit dhe për ta zëvendësuar. Arsyeja ka qenë të shkarkohet dhe të ec lufta më shpejt. Shtabi i Përgjithshëm dhe Zona e Dukagjinit nuk kanë qenë të kënaqur me ritmin tonë të luftës”.

Zyrtari nga OVL UÇK ka thënë se për Kosharen po folën “broçkulla dhe përralla të cilat po i thurin si po kanë qejf”

Ai thotë se po glorifikohet Beteja e Koshares edhe nga ushtarët e jo vetëm nga komandantët.

“Kjo brigadë ka qenë nën urdhrat e Ramushit. Janë rreshtuar para Azem Sylës, Jakup Krasniqit dhe “Plakut” dhe meje. Edhe Anton Quni edhe Hisen Berisha..”, tha ndër të tjera Nasim Haradinaj.