Napoli i vë ultimatum Icardit

Me afrimin e mundshëm të Alexis Sanchez te Interi, bëhet thuajse i pamundur transferimi i Mauro Icardit te Juventusi, pasi bardhezinjtë nuk kanë ndërmend të paguajnë kesh, ndërsa zikaltërit nuk do të kenë më nevojën e një shkëmbimi me Paulo Dybalën.

Nga ana tjetër, sulmuesi argjentinas kërkohet me ngulm nga Napoli, drejtuesit e të cilit i kanë kërkuar atij që deri në fund të javës të ndajë mendjen nëse do të pranojë ofertën e tyre ose jo, për të shfrytëzuar javën e fundit të merkatos për ndonjë objektiv tjetër.

Oferta e Napolit për Interin është 65 milionë euro plus bonuse të ndryshme, ndërsa për Icardin është gati një kontratë me pagë prej 7 milionë eurosh plus bonuset që e çojnë në 9 milionë euro neto në sezon.

Por së fundi për të shqetësuar Napolin, në garë është futur edhe Monaco, që i ka ofruar Icardit një pagë prej 11 milionë eurosh neto në sezon, ndërsa për kartonin e tij është gati të paguajë deri në 70 milionë euro.

Megjithatë vlen të theksohet se destinacioni francez nuk është shumë i preferuar nga argjentinasi, aq më tepër se bashkëshortja e tij do të vazhdojë të punojë në Itali, ndërsa fëmijët do të vazhdojnë të arsimohen në Milano.

Çështja Icardi u shndërrua në një telenovelë të vërtetë verore, por me afrimin e fundit të merkatos, situata po vjen duke u sqaruar dhe brenda fundit të javës gjasat janë që të mësohet edhe skuadra e re e argjentinasit.

loading…