NALT vazhdon përkrahjen për një FSK ushtri profesioniste

Ministri në largim i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, u takua sot me drejtorin e ri të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë (NALT), gjeneralin Michael Oberneyer, me të cilin ka biseduar për rolin më aktiv të NALT-it në këtë fazë, në koordinimin sa më të mirë midis MFSK-së dhe FSK-së gjatë procesit të operacionalizimit të plotë të Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së sipas strukturës së re.

Ministri Berisha falënderoi gjeneralin Oberneyer për përkrahjen e vazhdueshme të NALT-it në ndërtimin e FSK-së si forcë profesionale, multietnike dhe të besueshme.

Gjithashtu, ministri shprehu gatishmërinë e Ministrisë dhe FSK-së që bashkëpunimi me NALT-in të thellohet edhe më tej, në të gjitha projektet e parashikuara me Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së.

Gjenerali Oberneyer shprehu konsideratë për punën e MFSK-së dhe FSK-së edhe gjatë periudhës së Qeverisë në largim, duke përmendur përfundimin me sukses të disa projekteve të planifikuara dhe miratuara më parë.

loading…