Naiviteti i Kurtit në FAZ: Lëshova pe për targat, sepse ambasadori amerikan kishte informacione më shumë për situatën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Michael Martens në FAZ, e ka shfaqur pa hezitim paaftësinë e tij, ku indirekt konfirmon se kishte rënë në kurthin e Serbisë.

Kurti i ka thënë gazetarit të njohur të FAZ-it se ka lëshuar pe për marrëveshjen e targave, pasi që ambasadori amerikan ia kishte tërhequr vërejtjen se do të kishte pasoja të rënda dhe të pakthyeshme të sigurisë, përcjell Demokracia.com.

Kryeministri i Kosovës i ka thënë FAZ-it, se ka lëshuar pe, ndër të tjera, sepse ambasadori kishte informacione më shumë se ai.

“Kurti tha se ishte dakord për një kompromis në “krizën e targave” pasi ishte paralajmëruar nga ambasadori amerikan në Prishtinë se situata në veri të Kosovës “mund të përkeqësohet rëndë dhe në mënyrë të pakthyeshme”. Ambasadori amerikan “kishte më shumë informacion se unë” për situatën në veri”, theksoi Kurti për FAZ, duke përmendur “shqetësimet e sigurisë” pa hyrë në detaje.

Gjatë gjithë zhvillimeve rreth targave, me qasje jodiplomatike dhe vendimmarrje të pamatur, Qeveria e Kosovës e ndihmoi agjendën e Serbisë për destabilizimin e veriut, duke u dhënë pretekst zyrtarëve serbë edhe për të dalë prej institucioneve të Kosovës, ndërsa në fund Kurti e Bislimi i pranuan të gjitha ato që i kishin kundërshtuar. /Demokracia.com/