Naim Hoxha: Dashuria për çiftelinë e përjetshme, krenar që po e trashëgoj te gjeneratat e reja

“Komuna e Malishevës i ka rreth 50 fshatra, unë jam i vetmi person që e punoj këtë zeje. Dhe, kurrë njëherë nuk e pata as edhe përkrahjen ose ndonjë ndihmë nga komuna. Biznesin tim e kam të regjistruar, dhe unë paguj tatim, në vend që unë të kem përkrahje unë jam i obliguar që t’i kryj të gjitha taksat që i ngarkohen një biznesi, e që për mua janë shumë…”-ishin këto fjalët hyrëse të intervistës që Ballkani.info realizojë me Naim Hoxha.

Hoxha, ndër të tjera duke folur për kultivimin e traditave shqiptare, ai ndihet krenar që këtë zeje po e trashëgon tek gjeneratat e reja.

Në vazhdim ju sjellim intervistën e plotë:


Ballkani.info: Që sa kohë e ushtroni këtë veprimtari?

Naim Hoxha: Këtë veprimtari unë e ushtroj që 30 vite, si familje jam gjenerata e pestë që mirremi me përpunimin e drurit.

Ballkani.info: Sa po ruhet tradita shqiptare?

Naim Hoxha: Të them të drejtën kohëve të fundit është rikthyer me të madhe ruajtja dhe kultivimi i traditës shqiptare.

Ballkani.info: Sa ka të interesuar për çifteli dhe instrumentet tjera shqiptare?

Naim Hoxha: Interesimi tani kohëve të fundit (gjithmonë flas për pesë vitet e fundit) është i madh dhe ka fanatizëm në këtë drejtim, gjë që më bën të ndjehem mirë si shqiptar që jam!

Ballkani.info: Sa është fitimprurës ky zanat?

Naim Hoxha:
Po sigurisht, tani nuk mund të them se nuk ka levërdi, mirëpo duhet të kemi ndihmë nga institucionet, duhet të kemi përkrahje së pari morale etj.

Ballkani.info: Cilat janë synimet e juaja përmes punëtorisë që keni?

Naim Hoxha: Po synimet e mija që çdo ditë e më shumë të këtë të interesuar në këtë lëmi. Pastaj, ta bëj ma shumë intrumentin aktraktiv sidomos për gjeneratat e reja .

Ballkani.info: A e keni ndërmend t’a trashëgoni këtë veprimtari?

Naim Hoxha: Po patjetër që do ta treshëgoj, siç e trashëgova unë, është i interesuar edhe djali im. Këtë zeje unë e kam të trashëguar nga babai im.

Ballkani.info: Cili është mesazhi juaj, sidomos për gjeneratat e reja?

Naim Hoxha: Mesazhi im për gjeneratat e reja dhe të gjithë, duhet ta duam ta ruajmë, ta kultivojmë, treshëgojmë traditën se është e jona.