Nagavci tregon pse s’po jep dorëheqje edhe pse e shkeli Kushtetutën

Ministrja e Arsimit, Shkëncës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci ka vazhduar ta mbrojë vendimin e saj për nxënësit në Kamenicë, pavarësisht se Gjykata Kushtetuese gjeti se me vendimin e saj, Nagavci e ka shkelur Kushtetutën.

Edhe pse Nagavcit i është kërkuar dorëheqja, ajo as që po e mendon një opsion të tillë.

Ajo thotë se me vendimin e saj, është e bindur që ka bërë mirë.

“Në aspekt moral unë jam e bindur që kam bërë mirë që jam kujdesur edhe për ata 441 fëmijë të Komunës së Kamenicës, sikurse do të duhej të kujdesesha për secilin nga fëmijët tjerë”, tha Nagavci për RTK’në.

“Në aspekt juridik formal, nuk priten vendime të tilla. Nuk ka masa që mund të merren”, shtoi ajo.

Nagavci tha se as në të kaluarën, nuk janë dorëhequr zyrtarët për çështje të ngjashme.

“Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar ligjin e pagave, ligjin për zyrtarë publikë etj. dhe shfuqizohen në vazhdimësi vendime të qeverive. Asnjëherë nuk është shpërndarë parlamenti pse deputetët kanë votuar këto ligje që shpallen anti-kushtetuese. Nuk ka marrë askush asnjë përgjegjësi nga deputetët, as nga ish-qeveritë. Unë jam e bindur se vendimet e mija kanë qenë në kuadër të kompetencave”, tha Nagavci.

Gjykata Kushtetues e Republikës së Kosovës kishte gjetur se Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë që drejtohet nga ministrja Arbërie Nagavci ka shkelur Kushtetutën e Kosovës me vendimin e 23 prillit 2021 ku jepte direktiva për organizimin e mësimit në Komunën e Kamenicës dhe hudhte poshtë reformën e ndërmarrë nga Qendron Kastrati.https://reporteri.net/reklamap/www/delivery/afr.php?zoneid=18&cb=INSERT_RANDOM_NUMBER_HERE

Më herët, Nagavci u është përgjigjur edhe paralajmërimeve të SBASHK’ut për greva, për 100 euro mbështetje deri në miratimin e Ligjit për paga dhe miratim sa më të shpejtë të Ligjit për paga.Sipas Nagavcit, nuk është koha për ultimatume dhe greva.

“Është tepër e rëndësishme të dijmë që nuk është kohë e ultimatumeve por është kohë e angazhimit dhe punës së përbashkët të të gjithëve për të përmirësuar rezultatet në arsim. Kërkesat e SBASHK’ut që kanë të bëjnë me aspektin material natyrisht se janë çështje që ne si qeveri i kemi pasur në vëmendje”, tha Nagavci në RTK.

“Si ministri e Arsimit, unë personalisht kemi adresuar në grupin punues të gjitha kërkesat që kanë të bëjnë me trajtimin e dinjitetshëm dhe të barabartë të mësimdhënësve”, tha Nagavci.

Ajo ka thënë se Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës e Teknologjisë duhet të gjejë forma të tjera të protestës.https://reporteri.net/reklamap/www/delivery/afr.php?zoneid=19&cb=INSERT_RANDOM_NUMBER_HERE

“Greva sidomos në këto ditë pas përballies me pandeminë kur është e vërtetuar tashmë edhe nga studimet e shumta pasi ka pasur humbje edhe në të nxënit e nxënësve dhe në përgjithësi në rezultatet në mësim,  greva nuk duhet të jetë një opsion që duhet të shqyrtohet aq më shumë se edhe si qeveri jemi krah mësimdhënësve. Ka forma të tjera të protestës”, ka thënë Nagavci.

Ndryshe, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka paralajmëruar grevë nëse nuk u plotësohen kërkesat. Qeverisë i është dhënë një javë kohë derisa SBAShK’u po kërkon 100 euro mbështetje deri në miratimin e Ligjit për paga dhe miratim sa më të shpejtë të Ligjit për paga.