Nagavci: Të dëmshme dilemat e krijuara nga Qeveria lidhur me zhvillimin e mësimit të hënën

Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, ka thënë se është e patolerueshme situata konfliktuoze e konfuze që kanë krijuar në shkolla, lidhur me festën e 28 nëntorit.

Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se është e pakuptimtë dhe e dëmshme krijimi i shumë dilemave lidhur me zhvillimin e mësimit nesër, me 30 nëntor.

Sipas saj, në kalendarin e vitit shkollor 2020/2021 dita e hënë është ditë pushimi.

“Bazuar në këtë kalendar janë bërë planifikimet në shkolla dhe kanë qenë të njoftuar edhe prindërit. Deklarata e zt. Hoti dhe Vendimi i Qeverisë i marrë në pasditen e së premtes që e hëna të jetë ditë pune, është sa i pakuptimtë aq dhe konfuz e konfliktuoz, përveçse i vonuar nëse i domosdoshëm”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se është gabim i pasinqertë i Qeverisë se heqja e pushimit në ditën e hënë po bëhet për shkak të solidarizimit me punëtorët shëndetësorë, policinë dhe inspektoratin.

Sipas saj, nëse do të ishte e sinqertë, stafi i shkollave do të ishte informuar më herët.

“Aktualisht shumë nxënës e mësimdhënës akoma nuk e dinë se a duhet të shkojnë nesër në shkollë apo jo. Të respektojnë Kalendarin e punës të miratuar nga MASHT sipas të cilit dita e hënë, dt. 30 nëntor është pushim, apo t’i binden Komunikatës së Qeverisë se dita e hëne është ditë mësimi? Kur kësaj i shtojmë edhe deklarimet nga SBASHK-u situata problematizohet dhe më shumë. Po shihen haptazi edhe ndikimet partiake e të grupeve të interesit në secilin nivel e institucion edukativo-arsimor, po shtohet dhe presioni e tensionet tek mësimdhënësit. Disa drejtor, gjatë fundjavës kanë urdhëruar mësimdhënësit të lajmërohen në punë, të tjerët që të mos lajmërohen. Ka dhe të tillë që janë të heshtur në këtë pikë dhe e lënë në vullnetin individual të mësimdhënësve. Disa prindër do t’i dërgojnë fëmijët nesër në shkollë, tjerë ndoshta jo. Kjo është shumë gabim dhe e dëmshme”, ka thënë ajo.

Nagavci thotë se gjendja në shkolla edhe ashtu është shumë e rënduar dhe rezultatet larg nga të dëshiruarat.

“Në këto rrethanat duhet që të ketë një bashkëpunim e mbështetje të plotë për shkollat dhe stafin mësimor. Ministri i Arsimit duhet që të harmonizojë qëndrimet në mes të Qeverisë dhe Sindikatës dhe të dalë menjëherë me një deklarim për ditën e nesërme, përndryshe do të ketë veprime të pakordinuara që dallojnë nga shkolla në shkollë dhe me shumë gjasë do të jetë një ditë më shumë e dështimit në mësimnxënie e mësimdhënie”, ka thënë ajo.