Nagavci: Reagimet e Haradinajt dhe Bytyqit janë skandaloze

Deputetja e Lëvizes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka theksuar se reagimet e kryeministrit Haradinaj dhe ministrit Bytyqi ndaj vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, janë sa skandaloze aq edhe shqetësuese.

“Në rrethana normale, sot me urgjencë do të duhej ftuar menaxhmentin, rektorët e prorektorët, bashkë me anëtarët e Këshillave Drejtuese të Universiteteve publike, t’i mbanin ata përgjegjës për situatën e krijuar dhe për arsyet që sollën deri te Vendimi për mosakreditimin e tri universiteteve publike”, thotë Nagavci.

Reagimi i Nagavcit:

Reagimet e Kryeministrit Haradinaj dhe Ministrit Bytyqi ndaj Vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, janë sa skandaloze aq edhe shqetësuese. Janë kërcënim serioz, jo vetëm për anëtarët e KSHC, por për zhvillimet në arsim, për cilësinë dhe të ardhmen e të rinjëve e fëmijëve tanë. Në rrethana normale, sot me urgjencë do të duhej ftuar menaxhmentin , rektorët e prorektorët, bashkë me anëtarët e Këshillave Drejtuese të Universiteteve publike, t’i mbanin ata përgjegjës për situatën e krijuar dhe për arsyet që sollën deri te Vendimi për mosakreditimin e tri universiteteve publike. Në rrethana normale, menaxhmenti i cilitdo universitet publik që nuk akreditohet, do të jepte llogari dhe dorëheqje. Te ne kjo nuk ndodhë, sepse s’kemi staf profesional e me integritet në udhëheqje të universiteteve( me shumë pak përjashtime). As Qeveria Haradinaj s’ka guxim e mundësi të bëjë një gjë të tillë, sepse shumica dërmuese e stafit udhëheqës të universiteteve publike janë persona politik, të emëruar në mënyrë klienteliste e jo rrallherë me shkelje. Si në çdo sektor tjetër ndërhyrjet brutale të qeverisë nuk pushojnë. S’njohin pavarësi institucionale e as profesionalizëm, secili vendim është klientelist, nepotist e partiak, është një garë për punësim militantësh në vendet më të rëndësishme udhëheqëse. Andaj dhe përgjegjësia duhet kërkuar tek qeverisjet që sollën arsimin në këtë gjendje. Tashmë me dekada është ndërhyrë në sistemin e arsimit, në dëm të cilësisë e në regres të shoqërisë, kjo duhet të marrë fund. Kjo qeveri duhet të largohet sa më parë. Secila ditë më shumë e kësaj qeverisje më keq për vendin, më problem për të ardhmen.