Nagavci e VV-së feston largimin e kompanisë amerikane nga Kosova: E fituam edhe një betejë

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka reaguar pas lajmeve se kompania Contour Global është tërhequr nga planet për ndërtimin e Termocentralit ‘Kosova e Re’.

“Edhe një betejë e fituar. Dorëzohet ContourGlobal”, ka shkruar Nagavci në Facebook, derisa ka përmendur se në legjislaturën e kaluar e kanë kundërshtuar këtë kontratë.

“Në legjislaturën e kaluar e kemi kundërshtuar këtë kontratë të dëmshme dhe tani që jemi në qeverisje ky projekt nuk do të realizohet. Një lajm i mirë për vendin në këto ditë vetizolimi.

#Angazhohu për gjërat e drejta”, ka deklaruar ajo.

Kompania Contour Global ka thënë se do të tërhiqet nga planet për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re me kapacitet 500 megavatë.

Sipas një njoftimi të Contour Global, arsye për këtë është se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen.

Si arsye ka përmendur edhe ndryshimet politike që kanë ndodhur në Kosovë.

“Projekti Kosova e Re nuk mund të ecë përpara. Situata politike në Kosovë që nga korriku, formimi i një qeverie të udhëhequr nga një kryeministër që e kundërshtoi publikisht projektin dhe mosveprimi i qeverisë e kanë bërë të pamundur që projekti t’i përmbushë detyrimet e kërkuara”, thuhet në një njoftim për media nga Contour Global.