Nagavci e VV-së: Arsimi duhet të jetë kryeprioritet kombëtar

Ish-drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës, si dhe anëtarja e komisionit për Arsim në Kuvend, Arbërie Nagavci, ka thënë se Kosova duhet ta ketë kryeprioritet kombëtar arsimin pasi dështimit të sërishëm në testin PISA ku doli e treta nga fundi.

Përmes një postimi në Facebook, anëtarja e Vetëvendosjes, tha se kjo duhet bërë urgjentisht për përmirësimin e sistemit të edukimit e arsimit.

Sipas saj, çdo ditë e humbur rrezikon të ardhmen e fëmijëve.

Postimi i plotë:

OECD ka publikuar rezultatet e testit PISA.

Ashtu si është pritur, asnjë përparim i nxënësve tanë.

Kosova edhe kësaj rradhe renditet e treta nga fundi, madje ka regres në disa fusha.

Në 6 nivelet e rezultateve që mat PISA, 66 % të nxënësve kosovarë të testuar performuan nën nivelin e dytë, pra shumë dobët dhe vetëm 0.1 % e të testuarve ishin mbi mesatare.

Urgjentisht nevoitet mobilizim i përgjithshëm për përmirësimin e sistemit të edukimit e arsimit.

Arsimi duhet të jetë kryeprioritet kombëtar, asgjë s’është më e rëndësishme.

Edhe sot jemi vonë, çdo ditë e humbur na çon dhe më prapa dhe rrezikon të ardhmen e fëmijëve tanë, të gjithë vendit.