Naftëtarët

Naftëtarët kundërshtojnë vendimin e MINT-it, kërkojnë rritje të marzhës së fitimit

Naftëtarët e kanë kundërshtuar vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për caktimin e çmimit dhe masave të tjera mbrojtëse të produkteve të naftës.

Në vendimin e fundit të MINT, marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është 2 eurocentë për litër kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është 12 eurocentë për litër.

Kreu i Naftëtarëve, Fadil Berjani, përmes një shkrese drejtuar kryeministrit Albin Kurti dhe ministres Rozeta Hajdari, ka kërkuar që marzha e fitimit për shumicë të jetë 2.3 eurocentë për litër, ndërsa marzha për shitjet me pakicë të jetë 14 eurocentë për litër.

Në shkresë thuhet se arsyetim për rishikim të vendimit është inflacioni, që sipas naftëtarëve ka rritje enorme të shpenzimeve operative dhe pagave për punëtorë

“Mund të konkludojmë se sipas të dhënave zyrtare të Agjencionit të Statistikave të Kosovës të publikuara edhe në Euro Stat, inflacioni në Kosovë për vitin 2022 ishte në vlerën prej 11.6% ndërsa për vitin 2023 ishte në vlerën prej 5.1%, për këtë duke u bazuar dhe në rritjen enorme të shpenzimeve operative dhe pagave për punëtor, kërkojmë që në bazë te udhëzimit të reflektohet edhe marzha tregtare që në baze të inflacionit për vitin 2024 duhet të jete ky çmim: Marzha Tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy-pikë-tre (2.3) euro centë për litër, si dhe Marzha Tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është katërmbëdhjete (14) euro centë për litër”, thuhet në vendimin e MINT-it.

“Pas një shqyrtimi të hollësishëm të argumenteve tona dhe të dhënave zyrtare të inflacionit, kërkojmë që të merrni ne konsiderim edhe njëherë rishikimin e Vendimit te mësipërm. Për ta bërë këtë, ne kërkojmë qe të organizojmë një takim për të dëgjuar më shumë për shqetësimet tona dhe për të shqyrtuar detaje të tjera që mund të kenë ndikim në këtë çështje”, thuhet në shkresë.

VIDEO BONUS: Periudha nga 5 marsi ka qenë më e vështira e jetës sime, pasi që nuk mbërritëm me ardh në Prekaz