Naftëtarët i reagojnë Qeverisë pas vendosjes së tavanit: Po na falimentoni

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani i ka shkruar letër kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Tregtisë, Rozeta Hajdari pas vendimit të fundit të qeverisë për caktimin e çmimit tavan për derivatet e naftës për 1.67 eurocent.

Ai është ankuar se derivatet i blejnë me çmim më të lartë se sa Tavani i caktuar nga ministria.

“Vendimi i fundit i Qeverisë për vendosjen e çmimeve tavan të derivateve, është skandaloz pasi që çmimi i vendosur shitës është nën çmimin blerës. Çmimi blerës për Naftë, sot është: 1.75 Euro, dje ishte: 1.68 Euro, ndërsa pardje: 1.66 Euro. Ndërsa çmimi tavan i vendosur nga Qeveria për naftë është: 1.67 Euro.”, thuhet në letrën e tij.

Berjani ka theksuar se vendime të këtij lloji janë duke i detyruar kompanitë të operojnë me humbje të mëdha.

Sipas tij shumë shpejt kompanitë do të falimentojnë.

“Kompanitë do të falimentojmë, për shkak qasjes së gabuar të Qeverisë në vendosjen e çmimit tavan. Ku si kompanitë e mëdha po ashtu ato individuale me kosto më të ulët të operimit janë barazuar. Kjo praktike sigurte do t’i falimentojë shumë kompani dhe me mijëra punëtorë do të mbesin pa punë. Sinqerisht ju lutemi që të ndërroni këtë praktikë, si gjithnjë jemi të hapur të diskutojmë për modalitetin më të përshtatshëm për rregullim të çmimeve, duke u bazuar në analiza të mirëfillta.”. ka shkruar Berjani.