Myftiu Tërnava viziton familjen e ish-presidentit Thaçi: Ende pa dalë në gjyq, rrjedha po i largon akuzat ndaj tyre

Një delegacion i Bashkësisë Islame të Kosovës, i kryesuar nga myftiu Naim Tërnava, sot e ka vizituar familjen e ish-presidentit Hashim Thaçi në Burojë të Skenderajt.

Gjatë takimit me babanë e ish-presidentit Thaçi, Haxhi Thaçin, myftiu Naim Tërnava ka deklaruar se krerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në Hagë.

“Me presidentin dhe të tjerët që i kemi në Hagë na ka bashkuar vetëm çështja e atdheut. Ata të cilët e kanë vesh uniformën, e kanë rrokë pushkën e i kanë dalë përpara okupatorit tonë, armikut tonë, e kanë shkreh veten edhe me vdek, sepse aty nuk e dinë kah të vjen. Disa kanë vdekë, kanë shku shehidë. Disa i kemi të humbur dhe disa i kemi pasur nëpër burgje, këtu brenda e disa jashtë. Qe tash i kemi edhe tetë në Hagë”, ka thënë Tërnava.

Myftiu i Kosovës i është drejtuar babait të ish-presidentit Hashim Thaçi, duke thënë se atyre në Hagë po u bëhet një padrejtësi e madhe.

“Është evlad i juaji, pavarësisht kush është, së pari është evlad i juaji, fëmijë i juaj. Edhe unë jam prind dhe e kam atë ndjenjën çka do të thotë të mos e kesh për momentin këtu, mirëpo edhe shkuarja atje, përgjigjja asaj ftese që ia bënë, ka treguar një burrëri, një gatishmëri, që ai të përballet me ato akuza të paqena, që janë ngrit kundër tij. Ende pa dalë në gjyq, vetë historia si po e shohim rrjedhën, po i demaskon ato, po i largon ato prej tyre, të gjitha atyre atje. Ata i kemi pasur dhe i kemi si shembuj, që vërtet kanë flijuar shumë”, ka shtuar Tërnava.

Myftiu Naim Tërnava ka thënë se Kosova ka nevojë për çlirimtarët e vendit.

Ai ka thënë se procesit po i bëhet një zgjatje jashtëzakonisht e pakuptueshme, që po shkon në dëm edhe të vetë këtij procesi gjyqësor.

Tërnava është shprehur i bindur se ballafaqimi i tyre me Gjykatën e Hagës do të dëshmojë se ata do të kthehen të pafajshëm pranë familjeve të tyre.