Ish-kryeministri

Mustafa: Vuçiq arsyetoi sulmin terrorist ndaj policisë, si Putini në rastin e Ukrainës

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se Vuçiqi me veprimet në veri të Kosovës po sillet sikur presidenti rus ndaj popullit të Ukrainës.

Mustafa në Tëvë1, tha se aksionet e tilla terroriste në veri të Kosovës siç ishte ai i mbrëmshmi, është vështirë e besueshme se nuk janë nën ndikimin presidentit serb, Vuçiq.

“Është vështirë të besoj që nuk janë në ndikimin ose njohurin e Vuçiqit. Në qoftë se dje Vuçiqi insistonte që çështja është e pakënaqësisë së qytetarëve në veri të vendit, ajo u takon atyre, e arsyetonte dhe arsyetime të tilla ne kemi dëgjuar nga pushteti rus sa i përket pjesëve të Ukrainës. Sepse ata kanë hy me arsyetime të tilla atje, që atje një pjesë e rusëve që janë, asaj pjese po i merren të drejtat, nuk po konsiderohen dhe duke ia lejuar vetës që ata të kenë të drejtë që të hyjnë dhe t’i mbrojnë të drejtat e tyre, të mbrojnë sovranitetin etnik të tyre atje, i bënë veprimet e tilla dhe mua disi më ngjante në njëlloj parapërgatitje që të përgatitet opinioni”, tha Mustafa.

Megjithatë ish kryeministri Mustafa tha se shteti i Kosovës duhet t’i tregojnë me argumente Serbisë që qytetarëve serb në veri nuk po u shkelet asnjë e drejtë vetëm se në atë pjesë ka nevojë për funksionim të ligjit.

“Serbia nuk ka asgjë të bëjë me atë pjesë mirëpo problemi është i atyre që ata më nuk po e durojnë politikën që qeveria e Kosovës po zhvillon atë pjesë dhe ata janë vetorganizuar dhe unë mendoj që këtu edhe Qeveria e Kosovës edhe të gjitha institucionet duhet të jenë të zëshme, të japin argumente sepse argumente ka mjaftë që nuk është fjala për asnjë të drejtë që po u shkelet serbëve në veri të vendit, por është fjala që ka nevojë që të funksionoj ligji edhe në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës sepse është pjesë e jona sado që institucionet e Serbisë dhe liderët e Serbisë thonë që Kosova akoma është pjesë e Serbisë”, tha Mustafa.