Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, ka treguar në Rubikon të KTV-së se si është vendosur që kjo parti të kandidojë në zgjedhjet e 6 tetorit me Vjosa Osmanin si kandidate për kryeministre.
Ai ka thënë se fillimisht kishin dy kandidatë, Lutfi Hazirin dhe Vjosa Osmanin dhe se pas bisedave të përbashkëta, ka pasur unitet që të kandidohet Osmani. Anëtarët tjerë ka thënë se s’kanë pasur ambicie.
“Jemi ulur bashkarish me Vjosa Osmanin dhe Lutfi Hazirin dhe disa tjerë anëtarë tjerë. Jemi pajtuar që kësaj here të jetë Vjosa Osmani. Ajo ka qenë shumë aktive edhe si deputete, edhe në LDK. Ne e vlerësuam, diskutuam të gjitha anët e këtij ambienti ku po futemi në zgjedhje. Vetë ai ka propozuar, askush nuk i ka thënë. Mënyra e të bindurit pastaj në LDK lë pasoja. Luta ka përvojë të gjatë”, ka thënë Mustafa.
Ai ka thënë se Haziri po e mbështet fuqishëm Osmanin në zgjedhje dhe se atij nuk i pengon pse Osmani do të jetë kandidate e jo ai.
“Unë mendoj se kjo nuk i pengon fare sepse kjo po dëshmohet. Janë futur shkëlqyeshëm në aktivitete. Në asnjë rast, askush nuk i është përzier z. Hazirit. Nuk është vetëm Vjosa dhe Lutfiu, por janë edhe një ekip, njerëz te përgatitur që mbulojnë fusha me kompetencë siç është Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Lumir Abdixhiku dhe kjo na dallon prej tjerëve sepse ne kemi një ekip dhe jo vetëm një njeri”, ka shtuar Mustafa.







