Mustafa tregon problemet që mund t’i ketë Kosova nëse nuk miratohet buxheti

Kryeministri tashmë në detyrë, Avdullah Hoti, ka pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që vendi të shkojë në zgjedhje të reja, por, ka një kërkesë para zgjedhjeve.

Ai bënë thirrje që të mos shpërbëhet Kuvendi pa votimin e buxhetit 2021.

 “Tash përpara e kemi një punë që është buxheti dhe bëj thirrje që Kuvendi të mos shpërbëhet pa votimin e buxhetit për vitin 2021. Kam mbajtur një takim edhe me bizneset dhe kërkesë e tyre është ky buxheti të votohet”, ka thënë ai në një konferencë për media pas vendimit të Kushtetueses.

Përderisa kryeministri në detyrë ka votat e PDK-së për buxhet, Lëvizja Vetëvendosje thotë se një gjë e tillë është e pamundur që të hidhet në votim projektbuxheti.

 “Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk komunikon me qeveri në detyrë. Kjo gjë është parë  në rastin e ligjit anti-Covid kur kryesia e Kuvendit nuk pranonte ta procedonte tutje projektligjin për shkak se kishim një qeveri në detyrë. Andaj është e pamundur që ky projektligj i një qeveri në detyrë, e për më tepër edhe ilegale e antikushtetuese, të hidhet në votim në Kuvend”, ka thënë  Murati.

Ajo çka tash është e domosdoshme, sipas Murati, është që sa më parë të caktohet data e zgjedhjeve në mënyrë që pastaj buxheti të dorëzohet me kohë.

Odat ekonomike dhe shoqatat e bizneseve në vend kanë kërkuar që buxheti për vitin 2021 të miratohet, ndërsa ekspertët e ekonomisë kanë treguar për Ballkani.info, problemet në të cilat mund të ketë vendi në rast të mos votimit të buxhetit.

Muhamet Mustafa, ekspert i ekonomisë, thotë për Ballkani.info, se nëse buxheti nuk aprovohet para datës 31 mars 2021, atëherë do të ketë bllokadë të shumë funksioneve.

Sipas Mustafës, në situatën në të cilën ndodhet Kosova mund të paraqiten problem nëse buxheti nuk aprovohet para zgjedhjeve, apo nëse procesi zgjedhor nuk mundëson një konstituim të shpejtë të Kuvendit dhe Qeverisë së re.

“Aprovimi i buxhetit vjetor paraqet një moment të rëndësishëm politik dhe social dhe përbën ndër ngjarjet më të rëndësishme për shtetin dhe qytetarët. Mos aprovimi i buxhetit brenda afateve të përcaktuara me Ligj do të duhet të shpinte në rënie të Qeverisë. Afati i rregullt është aprovimi deri më 31 dhjetor të vitit vijues për vitin që vjen. Ligji ka dhënë edhe një afat shtesë për të siguruar funksionimin e institucioneve publike dhe kryerjen e detyrave te tyre, duke mundësuar që deri në 31 mars të vitit që vjen të mund të shpenzohet për çdo muaj 1/12 e buxhetit të vitit paraprak. Pas këtij afati fondet e buxhetit nuk mund të përdoren, do të thotë nuk ka autorizim për shpenzim nga Kuvendi, dhe kjo do të thotë një bllokadë e shumë funksioneve”, thotë Mustafa.

Sipas tij, në situatën në të cilën ndodhet Kosova mund të paraqiten problem nëse buxheti nuk aprovohet para zgjedhjeve, apo nëse procesi zgjedhor nuk mundëson një konstituim të shpejtë të Kuvendit dhe Qeverisë së re.

Ai shton se partitë politike duhet të bëjnë zgjidhje të përgjegjshme që krahas problemeve tjera, të mos ketë problem edhe me funksionimin e institucioneve shtetërore dhe shërbimeve publike të lidhura me buxhetin.

“ Në situatën në të cilën ndodhemi mund të paraqiten probleme nëse buxheti nuk aprovohet para zgjedhjeve, apo nëse procesi zgjedhor nuk mundëson një konstituim të shpejtë të Kuvendit dhe Qeverisë së re, në mënyrë që buxheti për vitin 2021 të aprovohet para 31 Marsit të atij viti. Duke marrë parasysh këtë situatë institucionet dhe partitë politike të përfaqësuara në Kuvend duhet të bëjnë zgjidhje të përgjegjshme në mënyrë që mos të sjellin në tavolinë, krahas shumë problemeve tjera, edhe problemet e funksionimit të institucioneve shtetërore dhe shërbimeve publike të lidhura me buxhetin”, pohon Mustafa./Ballkani.info./