Mustafa takon Kosnettin, thotë së LDK e ka gati programin qeverisës për qeverinë e re

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka nisur mandatin e tretë sot, me një takim me Ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

Në njoftimin e lëshuar për media u tha se në takimin me Ambasadorin Kosnett u diskutuan tema të rëndësishme për vendin, me theks të veçantë zgjedhjet e brendshme të LDK-së dhe situata aktuale politike.

Kryetari Mustafa e njoftoi Ambasadorin Kosnett për ecurinë e procesit zgjedhor të LDK-së dhe theksoi se Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të përgjithshme sa më parë. LDK-ja ka përgatitur programin qeverisës për qeverinë e re ku prioritet do të jenë luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, përmbyllja e dialogut me Serbinë, përshpejtimi i proceseve integruese në strukturat euroatlantike, zhbllokimi i potencialit ekonomik përmes përkrahjes së sektorit privat, etj, thuhet në njoftimin për media.

Ndërsa, Ambasadori Kosnett theksoi se është e rëndësishme që Kosova të ruajë fokusin e vet në fuqizimin e sundimit të ligjit, kthimit në tryezën e bisedimeve me Serbinë, për të arritur normalizim dhe për të krijuar mundësi të cilat lejojnë qytetarëve të Kosovës të kontribuojnë në prosperitetin e Kosovës.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Agim Veliu, Lutfi Haziri, Vjosa Osmani, Vlora Dumoshi dhe Besian Mustafa.

loading…