Mustafa si Limaj e Pacolli, kundër numërimit të votave të ardhura nga Serbia

Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, ka dalë kundër numërimit të votave të ardhura në zarfe nga Serbia.

Sipas tij, paralajmërimi se këto vota do të hyjnë në numërim hap rrugën për të legalizuar kontrabandimin e votës edhe në të ardhmen.

“Si Kryetar i LDK-së kërkoj nga KQZ-ja të trajtojë ligjshmërinë e votave të ardhura në pliko nga Serbia, për Listën Serbe. Paralajmërimi se këto vota do të hyjnë në numërim, pa një vendim të KQZ-së se a i plotësojnë ato kushtet ligjore, hapë rrugë për të legalizuar kontrabandimin e votës edhe në të ardhmen. Një gjë e tillë u tentua të bëhet në zgjedhjet e kaluara lokale në Istog, por organet ligjore parandaluan makinacionet e tilla që deformojnë vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Mustafa në një postim në Facebook.

Kundër numërimit të këtyre votave të ardhura në zarfe doli sot edhe koalicioni Nisma-AKR-PD, kurse Vetëvendosje ka thënë se është e patolerueshme të krijohen kushte për t’u trajtuar zarfet nga Serbia dhe të mos trajtohen ato që erdhën me vonesë nga diaspora.

loading…