Mustafa: Rritja e buxhetit s’ka ndodhur gjatë Qeverisë Kurti

Koordinatori për Financa nga radhët e PDK-së, Arben Mustafa, ka komentuar buxhetin e ri të Kosovës i cili është në vlerë prej 3.2 miliardë euro.

Mustafa tha se kryeministri i vendit, Albin Kurti, me shumë krenari e krahasoi buxhetin e vitit 2023 me të viti 2011, por sipas tij, një krahasim i tillë s’ka kuptim dhe se rritja s’ka ndodhur gjatë Qeverisë Kurti.

“Krahasimi i tillë s’ka kuptim duke pasur parasysh se ekonomitë në përgjithësi kanë prirje pozitive të rritjes dhe rritja e buxhetit që ka ndodhur gjatë kësaj periudhe nuk ka ndodhur nga qeverisja Kurti”.

“Që nga viti 2011 ne kemi pasur shumë qeveri që kanë punuar për të rritur buxhetin dhe buxheti është rritur vit pas viti, gjë që është shumë e natyrshme”, është shprehur Mustafa në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Tutje, ai tha se buxheti i vitit 2023 s’ka kuptim të komentohet në vlera absolute duke e pasur parasysh rritjen e çmimeve që kanë ndodhur.

“Ajo që sot mund të blihet me 500 milionë euro të qeverisë nuk është e barabartë me atë se sa është mundur të blihet para 2-3 viteve me 500 milionë të qeverisë”.

“Do të thotë në këtë aspekt komentimi i vlerave nominale është thjeshtë për qëllime populliste sepse edhe vetë zyrtarët e qeverisë e kuptojnë që ato nuk paraqesin diçka. Vlera nominale është 2.3 miliardë, por vlera e mallrave dhe shërbimeve që mund të blihen me ato para nuk është aq më e lartë sa po proklamohet nga ana e qeverisë”, është shprehur Mustafa.