Mustafa për Kurtin: Është mjaft i shkathët në propagandë – s’ka referendum në kohë pandemie

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, po e cilëson kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurtin të shkathët në propagandë.

Madje në Rubikon të Klan Kosovës, Isa Mustafa mohoi ta quante referendum siç e quajti Albin Kurti, betejën zgjedhore për Podujevën.

”Albin Kurti është mjaft i shkathët në propagandë. Referendum me dalje prej 40% të qytetarëve në vota s’ka. Referendum në kohë pandemie natyrisht se nuk ka. Dhe referendum për dhjetë muaj të qeverisjes së një komune, s’ka. Referendumet janë të tjera, kur del shumica absolute e popullsisë dhe voton për një gjë, mirëpo atij i nevojitet që të krijojë një ambient dhe të bëjë një fushatë për zgjedhjet e tjera”.

”Këtu ne ndoshta dhe ne kemi gabuar sepse fare se kemi konsideruar si referendum dhe se kemi konsideruar tepër të rëndësishme se çfarë do ndodhë për dhjetë muaj. Edhe këtu ne duhet të marrim mend nga kjo punë dhe duhet të korrigjojmë sepse duhet të mendojmë çdo muaj se si të mobilizojmë qytetarim për t’i marrë votat”.

Ai pohon se janë të gatshëm çdo herë të përballen me Vetëvendosjen, si ish-partner koalicioni.

”Sa i përket së ardhmes në zgjedhje – ne i qëndrojmë ballë Albin Kurtit dhe jemi të gatshëm që çdo ditë, çdo moment të garojmë me votën e qytetarëve”.

Ju nuk iu frikësoheni zgjedhjeve?

”Në asnjë rast nuk i frikohem zgjedhjeve. Unë shoh prej opinionistëve të ndryshëm se jepen analiza të ndryshme, mirëpo ne jemi subjekte politike për asgjë tjetër por për të garuar dhe për të kërkuar besimin e qytetarëve”.

”Në çdo moment që garojmë ne dalim për të fituar, dhe për ta vërtetuar besimin që qytetarët kanë ndaj Lidhjes Demokratike”.

Mustafa ka komentuar edhe mbështetjen që kanë qytetarët ndaj Lëvizjes Vetëvendosje krahasuar me atë ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës.

”Nuk e vë në pikëpyetje përkrahjen sepse në Podujevë ka pasur përkrahje dhe ka fituar – ndryshe nuk i kishte pasur këto vota”.

”Por në asnjë rast nuk e vë në pikëpyetje mundësinë dhe shansin që LDK-ja ta kthejë besimin në këtë komunë por edhe në komunat e tjera”.

”Për këtë jemi edhe duke punuar prandaj ne jemi të gatshëm që në çdo moment t’i përgjigjemi ftesës për zgjedhje nëse nuk bëjmë zgjidhje të tjera”.