Mustafa për akuzat e Kurtit: Me i’a kthy krejt, do ta ulesha krejtësisht nivelin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka refuzuar të komentojë akuzat që dikur lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ia kishte bërë për shkelje kushtetuese, duke e quajtur superkriminel.

Tani kur Gjykata Kushtetuese shpalli aktgjykimin i cili vlerëson se vendimi i Kurtit për kufizimin e lëvizjes është antikushtetues, Mustafa tha se nëse edhe ai lëshohet me akuza dhe vlerësime të tilla, siç kishte bërë Kurti dikur, do ta ulte nivelin e tij dhe të LDK-së.

Ani pse, sipas tij në rastin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, vendimi i Gjykatës nuk e thotë se është shkelur ndonjë nen i Kushtetutës, por vetëm fryma e saj. Kurse, në rastin e vendimit të Kurtit, ai thotë se Gjykata Kushtetuese vlerësoi se janë shkelur nenet të cilat garantojnë të drejtat dhe liritë e njeriut. Shkelje e cila sipas Mustafës është shkelje e rëndë.

“Tash me nis me i’a kthy unë zotit Kurti krejt çka ka thanë ai për mu, do ta ulesha krejtësisht nivelin edhe timin edhe të subjektit që unë përfaqësoj. Në fakt ajo që është dhënë më përpara për asociacionin e komunave me shumicë serbe, nuk është dhënë se shkelje e Kushtetutës, por vetëm se nuk është krejt ajo në harmoni, në disa pjesë, me frymën kushtetuese, sepse nuk është cekur asnjë nen i Kushtetutës që është shkelje, do të thotë nuk ka pas shkelje, por devijim nga fryma siç e ka konstatuar Gjykata Kushtetuese, tani kemi një aktgjykim që e thotë në mënyrë të drejtpërdrejt që janë shkelur nenet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë e njeriut. Nëse janë shkelur të drejtat e njeriut ajo nënkupton se është shkelje e rëndë e Kushtetutës. Unë tani nuk po  cilësoj se a është dikush kriminel, a superkriminel a ma pak kriminel, por gjithnjë i kemi bërë vërejtje ditën që qeveria ka pru atë vendim, duke thënë se qeveria nuk ka të drejtë ta sjellë atë venim,por duhet ta sjellin deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha Mustafa para gazetarëve.