Mustafa nuk tërhiqet nga kërkesa për postin e presidentit

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës u mblodh sot për të diskutuar në lidhje zhvillimet politike në vend, gjegjësisht për negociatat që po i zhvillon kjo parti me Lëvizjen Vetëvendosje për bashkëqeverisje.

Në takimet që po i zhvillojnë tash e sa kohë liderët e këtyre dy partive, Albin Kurti i VV-së dhe Isa Mustafa i LDK-së, thuhet se është arritur pajtueshmëria rreth programit qeverisës, mirëpo nënshkrimi i marrëveshjes ende s’ka ndodhur.

Kjo për faktin se LDK-ja e ka futur si pjesë të marrëveshjes për bashkëqeverisje edhe çështjen e postit të presidentit të vendit, e për të cilën VV-ja nuk po pajtohet. Kjo e fundit po kërkon që çështja e presidentit të shtyhet për negocim për një periudhë të mëvonshme, gjegjësisht për në kohën kur edhe i skadon mandati presidentit aktual, Hashim Thaçi.

Por, në takimin e sotëm të Kryesisë së LDK-së, Koha.net mëson se kreu i kësaj partie, Mustafa, u ka thënë zyrtarëve të partisë së tij se nuk do të tërhiqet nga kjo kërkesë.

“Mustafa i dëgjoi të gjithë në takim, propozimet e tyre, por në fund ishte kategorik në kushtin e tij duke thënë se ‘nuk do të tërhiqem nga kërkesa’ për postin e presidentit të vendit”, ka thënë për Koha.net një burim që ishte brenda takimit të sotëm të Kryesisë së LDK-së.

Ky burim shprehet skeptik se marrëveshja mund të arrihet nëse nga ana e VV-së nuk pranohet kërkesa e LDK-së për postin e presidentit.

Ai nuk ka treguar nëse anëtarët tjerë të Kryesisë së LDK-së e kanë mbështetur apo jo këtë kërkesë të Mustafës.

LDK-ja po kërkon që VV-ja t’i zotojë votat e deputetëve të saj se do ta votojnë një kandidat të propozuar nga ta për president.