Mustafa i PDK-së: Trusti po i rrezikon kursimet pensionale të qytetarëve

Ministri i Qeverisë nën hije i Financave në Partinë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa ka thënë se kursimet pensionale të qytetarëve të Kosovës janë të rrezikuara. Sipas tij vlera e këtyre mjeteve po shënon rënie të theksuar.

Ai gjithashtu thekson se si pasojë e moszgjedhjes së anëtarëve të rinj të Bordit Drejtues të Trustit, ky Bord do vazhdoj të jetë jofunksional.

‘’Vlera e mjeteve pensionale të investuara nga Trusti po shënon rënie të theksuar, ndërsa Bordi Drejtues i Trustit, i cili është organi kryesor vendimmarrës në këtë institucion vazhdon të jetë jofunksional si pasojë e moszgjedhjes së anëtarëve të rinj të Bordit nga Kuvendi i Kosovës. Ngathtësia e institucioneve në kryerjen e detyrave të tyre po rrezikon seriozisht kursimet pensionale të qytetarëve të Kosovës”, njofton Mustafa përmes një postimi në ‘Facebook’-un e tij.