Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka bërë përsëri thirrje për rrëzimin e qeverisë aktuale të vendit, që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj.
Mustafa, paraardhës i Haradinajt në postin e kryeministrit, ka deklaruar se “Kosovës, si kurrë më parë, i nevojitet qeveri e formuar nga partitë e tanishme të opozitës, e drejtuar nga LDK si parti më e madhe në vend”.
“Rrëzimi sa më i shpejtë i koalicionit PAN e ka kuptimin e vet, në qoftë se pas kësaj ndodhin ndryshime përmbajtësore në strukturën dhe përmbajtjen e qeverisjes së vendit”, është shprehur ai, nëpërmjet një shkrimi të publikuar në llogarinë e tij zyrtare, në rrjetin social Facebook.
Mustafa ka vlerësuar se Kosovës i duhet “një qeveri që do ta drejtojë vendin më shumë se një mandat, me partnerë që i qëndrojnë besnik marrëveshjes”.
Sipas tij, “ka arsye të mëdha për Kosovën që atë ta qeverisë LDK-ja”.
“Në më pak se tre vjet të qeverisjes për herë të parë pas luftës, ia dham drejtimin zhvillimit ekonomik të vendit, luftuam krimin dhe korrupsionin, stabilizuam buxhetin, avansuam marrëdhëniet me BE-në dhe me SHBA-të, filluam çkapjen e doganave, administratës tatimore dhe organeve tjera vitale për vendin, plotësuam 94 nga 95 kriteret për liberalizim të vizave. Koalicioni që erdhi pas nesh, e gjeti shtetin mjaftë të konsoliduar por rrënoi çdo gjë. Prandaj duhet të punojmë dhe të organizohemi që në të ardhmen të mos na rrënojnë rrënuesit”, ka shkruar Mustafa.
“Qeverinë të bëhet, para së gjithash mbi bazën e vlerësimeve dhe gjykimeve të thella, me njerëz që kryejnë punë për Kosovën, që e ruajnë shtetin e Kosovës dhe territorin e saj, që nuk janë të shantazhuar dhe të korruptuar”, është shprehur ai.
“Na nevojitet thellim i partneritetit me ndërkombëtarët, mbi baza të vlerave që vlejnë për ata dhe për ne, dhe jo vetëm për ne, siç po ndodhë jo rrallë”, përfundon shkrimi i kreut të LDK’së.







