Anëtari i PDK-së

Mustafa i PDK-së: Ekonomia po shënon normën më të ulët të rritjes në 10 vitet e fundit

Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Arben Mustafa, ka thënë sot se ekonomia e Kosovës po shënon normën më të ulët të rritjes në dhjetë vitet e fundit.

“Të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se norma reale e rritjes ekonomike në tremujorin e dytë të vitit 2023 ishte vetëm 2.02% – norma më e ulët e rritjes në dhjetë vitet e fundit”, tha Mustafa.

Kjo normë kaq e ulët e rritjes ekonomike, sipas Mustafës, kryesisht reflekton kushtet e vështira nëpër të cilat po kalon sektori privat, bazuar në rënien reale të eksportit të mallrave me 10.7% dhe rënien e vlerësuar reale të investimeve private me rreth 6%. “Këto të dhëna tregojnë se kah po shkon ekonomia e vendit dhe me këtë edhe standardi i jetesës së qytetarëve të Kosovës që po degradon çdo ditë e më tepër. Drejtimi që ka marrë ekonomia e vendit që nga ardhja në pushtet e Albin Kurtit ilustrohet qartë nga figura në vijim”, tha Mustafa.