Mustafa e ka bindur që LDK ta nominojë kandidatin për President, Kurti e pranoi mbrëmë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar për herë të parë se në kuadër të marrëveshjes së koalicionit LV – LDK, këtyre të fundit iu shkon edhe e drejta për të nominuar kandidatin për president.

Kurti tha se kjo është çështje për të cilën do të dakordohen dy kryetarët e subjekteve.

Mirëpo, ai shton se ka shprehur gatishmëri që të pranojë se Lidhja Demokratike është ajo që do të bëjë nominimin e kandidatit për president, atëherë kur i përfundon mandati Hashim Thaçit.

“Po është një çështje e neve si kryetar të të dy subjekteve, ju e dini se unë kam shprehur një gatishmëri të tillë qysh atëherë kur ndodhemi në kuadër të negociatave të vështira, e kam shprehur një gatishmëri të tillë.

Po, kam shprehur edhe në proces negociator edhe publikisht”, ka thënë kryeministri Kurti i ftuar mbrëmë në emisionin Rubikon.

Ai thotë se me Thaçin kanë dallime, i pyetur nëse do të punojnë për shkarkimin e tij, mirëpo, shton se duhet që të dakordohen në politikën e jashtme.

“Ju e dini qëndrimin tim ne i kemi dallimet, por në politikën e jashtme është bërë urgjente të dakordohemi, pavarësisht sa do t’i zgjasë mandati”, tha Kurti.

Vetëvendosje, gjatë kohës së negociatave për koalicionin kishin qenë shumë të zëshëm duke mos pranuar që puna e presidentit të bëhet pjesë e marrëveshjes, pasi që LDK-ja kishte kërkuar me çdo kusht që ky post të ju shkonte atyre.

Kjo pasi që dy partitë kishin synuar që ndarja e posteve të rëndësishme shtetërore të shkonte proporcionalisht.

Tashmë Lidhja Demokratike kanë bërë të ditur se i nominuari i tyre do të jetë Isa Mustafa.