Mustafa: Duhet të rriten pagat, 100 euroshi nuk ndihmon asgjë qytetarët

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka një kërkesë të qartë për Qeverinë Kurti për të dalë nga kriza ekonomike.

Gjatë intervistës për KosovaPress, ai thotë se ekzekutivi duhet t’i rritë pagat në nivel të përqindjes së inflacionit në vend, pasi e mbanë stabile fuqinë blerëse të çdo të punësuari.

Ndarjen e 100 euroshit për punëtorët e sektorit publik, privat dhe studentët, Mustafa e vlerëson jo të frytshme.

“Masat e tilla(100 euro) nuk i ndihmojnë qytetarët që të zbusin problemin e tyre me rritje të çmimeve dhe problemin e inflacionit dhe pagave të ulëta. Nëse qeveria ka dëshirë dhe vullnet që të ndihmojë qytetarët, duhet të rriten pagat. Pra duhet të vjen një vendim i qeverisë për rritje të pagave, pa marrë parasysh se kur vjen ligji i pagave. Në qoftëse inflacioni është 11 apo më shumë për qind, bile pagat duhet të rriten minimum sa është inflacioni, pasi e mban stabile fuqinë e blerëse të çdo punësuari dhe pastaj duhet të shihet si t’iu ndihmohet këtyre tjerëve që s’marrin pagë, pensionistëve, grupeve të margjinalizuara, të papunëve dhe të tjera. Këto janë masa që qeveria ka mundur t’i merr, pasi nëse ka pare që për një ditë t’i ndajë 100 milionë euro ose paguaj rrymën gati 100 milionë euro në veri, atëherë është dashur që qytetarëve t’iu gjendet një zgjidhje”, thekson Mustafa.

Mustafa, jo të duhur e konsideron edhe nismën e opozitës për tërheqjen e kursimeve nga Trusti.

“Nuk jam ai që e parapëlqej prekjen e Trustit të pensioneve, pasi është një investim i qytetarëve për të ardhmen. Ata investojnë në mënyrë që kur shkojnë në pension dhe s’kanë paga, ata të kenë një burim të jetesës së tyre…Trustin mundemi të shpenzojmë, por janë mjetet të qytetarëve që kanë kursyer për veti për ditën më të vështira, pra kur shkojnë në pension, pasi s’kanë mundësi të punojnë”, shton ai.

Ndërkohë apelon për respektim të vendimit të gjykatës për tarifat e shtrenjtuara të energjisë.

“Ashtu siç është rritur çmimi nuk është zgjidhje, por është shkelje, pasi janë shkel të drejtat e njeriut, pasi ka diferencime që disa të paguajnë çmime më të larta dhe disa më të ulta. Po ashtu është bërë një vendim, i cili ka qenë arbitrar dhe në një formë ka ndikuar qeveria në ZRrE. Pastaj e njëjta e ka pranuar një gjë të tillë, Gjykata ka bërë shumë mirë që e ka hedhur poshtë, madje ka bërë shumë mirë edhe partia politike që e ka iniciuar këtë çështje në gjykatë”, deklaron Mustafa.

Nga ana tjetër, pretendimet e kryeministrit Kurti për rritje ekonomike dhe punësim gjatë vitit të kaluar, Mustafa i quan si joreale.

“Qeverisja nuk është në harmoni me premtimet që i ka dhënë zotëri Kurti edhe gjatë fushatës dhe pas, por edhe më parë kur ishte në opozitë. Çdo gjë ka mbetur anash dhe nuk ka ndonjë orientim të qartë para opinionit dhe qytetarëve se çfarë do të bëjë kjo qeveri… Zotëri Kurti tash lavdërohet se kemi pasur një rritje ekonomike në vitin 2021 prej rreth 10 për qind dhe se ka pasur punësim mbi 20 mijë të punësuar. Sa i përket rritjes ekonomike është gabim të krahasohet me një vit më parë, pasi në vitin 2020 nuk ka pasur rritje, por rënie diku -5.7 për qind në Kosovë. Prandaj një rritje me një rënie nuk mundet të krahasohet, por krahasohet në një nivel stabil. Ky është një fakt se kjo rritje nuk është reale dhe fakti i dytë është inflacioni…tek të punësuarit është mjaft diskutabile, të gjendet numri prej 25, pasi nëse kanë qenë do të thotë se e tërë gjenerata që ka hyrë në tregun e punës është punësuar, aq është fluksi i të rinjve që hynë në tregun e punës gjatë 1 viti, prej 23-25 mijë. Nëse është ashtu, ne jemi në një situatë të mirë, por realiteti është tjetër, pasi njerëzit po ikin jashtë, po migrojnë në vendet e ndryshme. 200 mijë kërkesa janë për viza para ambasadave të ndryshme, kryesisht Gjermani, Zvicër dhe vendeve të tjera”, thotë ai.