Mustafa: Asnjë parti nuk i merr 50% të votave në Kosovë, aq më pak VV-ja me këtë qasje ndaj SHBA-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në emisionin Pressing të T7, ka thënë se asnjë parti politike nuk mund t’i marrë 50% të votave, apo gjysmën e ulësve në Kuvend, e aq më pak Lëvizja Vetëendosje me qasjen e saj ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“VV’ja edhe gjatë negociatave për marrëveshjen e koalicionit thoshin se tashme ne jemi të parët dhe me shumë gjasë në zgjedhjet e tjera do të dalim +50%. Ne i kalonim këto deklarata me të qeshura, por ne nuk besojmë se ndonjë subjekt në Kosovë mund t’i marrë gjysmën e ulëseve në Kuvend”, është shprehur Mustafa.

Sipas Mustafës, qasja e VV’së ndaj Amerikës ka qenë totalisht e gabuar gjatë qeverisjes së kryeministrit Kurti.

“Ajo që kemi pa ne me VV’në në qeverisje është qasja e tyre totalisht e gabuar ndaj partnerit tonë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Mustafa.

Tutje, Mustafa beson se qytetarët e Kosovës nuk do të votojnë një parti me këtë qasje ndaj SHBA’së.

“Unë nuk besoj që qytetarët e vendit tonë janë të një mendimi të tillë që të votohet një parti që ka kësi qasje ndaj SHBA’së”, shtoi Mustafa.