Musliu-Shoshi: Para aplikimit, Gërvalla duhej ta takonte delegacionin e Asamblesë Parlamentare të KE-së

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, që është anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme ka thënë se aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës është lajm i mirë për Kosovën.

Megjithatë, ajo është kritike për ‘diplomacinë e heshtur’ që është bërë për të arritur deri te aplikimi në këtë organizatë ndërkombëtare.

“Mendoj që është lajm jashtëzakonisht i mirë për Republikën tonë. Ne si opozitë kemi qenë në vazhdimësi kërkues që qeveria ta bëjë një hap të tillë. Edhe pse kemi qenë krejtësisht në terr informativ e vlerësojmë që është një hap pozitiv për të ardhmen, Republikën dhe qytetarët tanë. Vlerësoj që ky është viti që më së paku është punuar në drejtim të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, ndoshta edhe është bërë diplomaci e heshtur. Këtë nuk e di, sepse ministrja Donika Gërvalla tha që “jemi duke bërë diplomaci të heshtur”. Për ne si opozitë dhe për mediat ka qenë diplomaci e heshtur nga institucionet tona”.

Ajo, në “Info Magazine” të Klan Kosovës, tha se Komisioni për Punë të Jashtme do të duhej të paktën të ishte i njoftuar para se Kosova të dorëzonte aplikimin për KE.

Musliu-Shoshi thotë se kryediplomatja Donika Gërvalla, përpos Komisionit për Punë të Jashtme, do të duhej ta konsultonte edhe delegacionin e Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Ne si Komision për Punë të Jashtme vlerësoj që është dashur që të kontaktohemi, ta mbajmë një mbledhje dhe ta shqyrtojmë këtyë proces. Lëre Komisioni për Punë të Jashtme, por Kuvendi i Kosovës e ka një delegacion që është në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës pjesë e të cilit jam edhe unë dhe secila parti politike e ka nga një anëtar. E dimë se në këtë hap vulën kryesore të anëtarësimit ose jo do ta japë raporti dhe rekomandimi i Asamblesë Parlamentare të KE-së. Ministrja [Donika] Gërvalla, ose kabineti i saj, është dashur që të na ftojë dhe të paktën të ketë një ide nga ne, sepse ne sapo kemi ardhur nga Sesioni i Dytë i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku si delegacion kemi pasë shumë takime”.

“Kemi pasë takime me deputetë të shteteve njohëse dhe mike dhe disponimi i tyre ka qenë që ne duhet të kemi informatë nga qeveria jonë se sa ka bërë lobim te shtetet aleate dhe a e ka pasë dritën e gjelbër që të bëjë aplikimin në këtë fazë”.

Deputetja e PDK-së thotë se suksesi ose jo i Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës do të varet nga hapat të cilat i ka marrë qeveria dhe (mos) koordinimi me shtetet mike.