Ariana Musliu-Shoshi

Musliu-Shoshi: Kurti do të takojë përfaqësuesit e VV-së në Gjermani

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për vizitën në Gjermani.

Ajo ka bërë me dije se gjatë kësaj vizite, kryeministrit Kurti do të takojë edhe përfaqësuesit e VV-së në Gjermani.

Në profilin e saj në “Facebook”, deputetja e PDK-së ka shkruar se ftesat për këtë takim janë shpërndar nga dega e VV-së në Gjermani.

“Paramendone, Albini që na ka pas tranu duke na shit mend se si duhet te kursehet paraja publike, sot udhëton në Gjermani, bashkë me Ministra tjerë e me anëtarë të LVV-së POR me buxhet të shtetit! Në këtë udhëtim do të i takoj anëtarësinë e LVV-së në Gjermani, ku ftesat nuk janë shpërnda nga Ambasada por nga LVV. Pra, udhetimin e Albinit për interesa personale e partiake bashkë me bashkëpunëtor e pagun djersa e qytetarëve!”, ka shkruar ajo.

Zyra e Kryeministrit ka bërë me dije se kryeministrit Albin Kurti ka udhëtuar për në Berlin të Gjermanisë për të marrë pjesë në Kongresin e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD).

Sipas njoftimit, Kurti do të zhvillojë takime me politikanë dhe deputetë të ndryshëm të SPD-së.

“Atje kryeministri Kurti, i shoqëruar edhe nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, do të marrë pjesë në Kongresin e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD). Në kuadër të kongresit do të zhvillojë takime me politikanë dhe deputetë të ndryshëm të SPD-së gjermane”, është thënë njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.