Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Muslliu, ka thënë se personi që të hënën është dënuar me 6 muaj burgim për kanosje ndaj saj, ka deklaruar se “kishte rënë nën ndikimin e propagandës së Lëvizjes Vetëvendosje”.
Sot Gjykata e dënoi me gjashtë muaj burg personin që më kanosi në dhjetor të vitit të kaluar, pas një debati të ashpër që kisha me kryeministrin Kurti në seancë plenare. Ky person që më kanosi nga Zvicra, të premten në seancë tha se ‘nuk voton në Kosovë prej 20 vitesh’ dhe pranimin e fajësisë e bëri krejt formalisht e në mënyrë të pasinqertë. Por, në një pikë ai ishte shumë i sinqertë. Deklaroi se ‘kishte rënë nën ndikimin e propagandës së Lëvizjes Vetëvendosje’”, ka shkruar Musliu në Facebook.
Ajo ka akuzuar Vetëvendosjen për ushqim të militantëve të saj me gjuhë të urrejtjes e përçarjes.
“Ky është një shembull konkret se gjuha me të cilën partia – shtet i ushqen militantët e saj, është gjuhë e urrejtjes, përçarjes dhe mos durimit. Dhe si e tillë jo vetëm e papranueshme por edhe e dënueshme. Përndryshe, konsideroj se dënimi ndaj personit që më kanosi, është shumë i ulët dhe do të konsultohem me avokatin tim për të ndërmarrë veprimet e nevojshme për ta kundërshtuar me ankesë”, ka shkruar Musliu.







