Musliu: Mosha mesatare e policëve të Kosovës është 47 vjet

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka folur për kërkesën që partia e saj e ka parashtruar në lidhje me pensionimin e parakohshëm të zyrtarëve policorë.

Ajo thotë se Policia e Kosovës “po plaket”, duke thënë se mosha mesatare e policëve kosovarë është diku te 47 vjet.

“Ne kemi policë që kanë probleme të mëdha shëndetësore, që mezi presin që ky ligj të votohet”, tha Musliu në T7.

Sipas nismës së PDK-së, nëse ajo do të miratohej, policët do të mund të pensionoheshin në moshën 55 vjet.

Deputetja e PDK-së thotë se pret përkrahjen e partive të tjera politike pasi kjo, sipas saj, “nuk është vetëm nevojë, kjo është emergjencë”.