Musliu-Kurtit e Rizvanollit: Popullin që ju po e quani analfabet, do të kërkojë llogari nga ju

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Ekonomisë,  Artane Rizvanolli.

Në replikën e saj në Kuvendin e Kosovës ku është duke u zhvilluar seanca për projektligjin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, raporton Demokracia.com.

Ajo ka thënë se Qeveria po i referohet popullit si analfabet dhe se Kurti po i bën presion deputetëve që të mos e votojnë Trustin, por siç theksoi Musliu, ky popull do të kërkojë përgjegjësi individuale nga të gjithë.

Tutje Musliu ia ka përmendur Kurtit edhe çështjen e ekspertëve të cilët ai i përmendi pasi deputeti Bekim Haxhiu prezantoi propozimin për projektligjin.

“Unë nuk e di a e dëgjoni veten se çfarë flisni apo iu është rritur mendja aq shumë edhe përballë vetes tuaj edhe e keni humbur arsyen komplet. Krejtësisht jeni shkëput prej realitetit dhe po veproni në turmë kështu. Ky popull është në gjendje në të cilën është sot ky vend është në krizë pikërisht në këtë vend e me këtë popull qeverisin ekonomistët si ju, financierët si Hekuran Murati, por ky popull që ju e quani analfabet, e jo ekspert, por analfabet, ka filluar të ngrihet në këmbë për të kërkuar papërgjegjësitë publike. Nëse jo sot, por nesër do të gjendeni përballë popullit që e keni gënjyer skajshmërisht vetëm për pushtet. I kisha lut deputetët e Vetëvendosjes që të dalin e të deklarohet për presionin publik, për kërcënimet që i marrin. Ju them publikisht më mirë është të diferencoheni nga lideri se sa të diferencoheni nga populli. Do të jepni përgjegjësi individuale dhe jo kolektive për vendimet që i merrni në këtë kuvend. Dhe kur jemi të ekspertët, po kthehemi pak më prapa, po t’i kishin pritur Kamishi e do tjerë ekspertët në vitin 1998 e ma herët edhe në 1999, me i prit oficerët ekspertë për të luftuar, sot hala e kishim Serbinë këtu e këtij vendi i kishim thanë hala “Kosovë dhe Metohi””, theksoi Musliu, raporton Demokracia.com.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i ministres Rizvanolli, e cila ka thënë se nuk duhet të shkatërrohet e ardhmja e pleqërisë, për siç tha ajo, konsum momental politik.

“Harroni pozitën, rrymat ekonomike, ideologjitë. Kjo çështje është tejet e thjeshtë. Nuk shkatërrohet e ardhmja e pleqërisë për një konsum momental, kjo thjeshtë nuk bëhet, pavarësisht të gjithëve. Pavarësisht qëndrimeve ideologjike, pasurisë e të tjera, vendimet që do ti marrim ajo çfarë flasim në publik do të jetë vetëm për të ardhmen e qytetarëve të Kosovës dhe asnjë herë për një grusht votash siç po tentoni të bëni ju sot”, u shpreh Rizvanolli.