Njeriu më i pasur në botë me këmbë tashmë në administratën amerikane, Elon Musk, e ka quajtur “djallëzor” presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke thënë se ky i fundit po kërkon një “luftë të pafundme”.
Musk në fakt bazohet tek një reagim i mëparshëm i Donald Trump, presidentit amerikan, i cili shkroi në platformën e tij Truth se Zelensky kishte bërë “deklaratën më të keqe të mundshme” kur kishte deklaruar se lufta me Rusinë duket ende larg fundit.
“Zelensky do një luftë të pafundme, një grirës mishi që s’mbaron kurrë. Kjo është djallëzore”, shkroi Musk.

Trump nga ana tjetër, kishte shkruar më parë: “Kjo është deklarata më e keqe që mund të jetë bërë nga Zelensky dhe Amerika nuk do të durojë për shumë kohë! Kjo është ajo që po thosha, ky djalë nuk do që të ketë paqe për sa kohë që ka mbështetjen e Amerikës”.
Po ashtu, Trump përmendi edhe faktin se Evropa e deklaroi qartë në takimin që pati me Zelenskyn, se pa Washingtonin nuk mund të kryhet asnjë punë në aspektin e luftës.
“Ndoshta nuk është një deklaratë e mrekullueshme që të jetë bërë për sa i përket shfaqjes së forcës kundër Rusisë. Çfarë po mendojnë?”, përmbylli Trump një publikim në median e tij sociale, Truth.







