Zyrtarë të lartë politik të Kosovës e Serbisë, po qëndrojnë në Berlin për takimet e radhës me zyrtarë të BE-së.
Pas takimit me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherinin, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se i ka thënë asaj se Serbia nuk do të vazhdojë dialogun nëse taksa nuk hiqet.
Analisti i njohur, Imer Mushkolaj, në një prononcim për Ballkani.info ka thënë se Serbia nuk e ka problem taksën, por Vuçiq po e shfrytëzon atë për tu viktimizuar.
“Serbia do të bëjë çmos që të mos lëshojë pe dhe që Prishtina të detyrohet ta heq taksën. Beogradi nuk e ka aq problem taksën, por dëshiron ta shfrytëzojë atë të viktimizohet dhe të përfitojë”, ka thënë Mushkolaj.
Tutje, Mushkolaj ka thënë se synimet e Serbisë, bëhen edhe më të lehta për tu arritur kur nuk ka qëndrim unik mes Haradinajt dhe Thaçit.
“Arritjen e synimeve, më lehtë Beogradit ia mundëson edhe çasja jo unike e kryeministrit dhe presidentit të vendit, që dërgojnë mesazhe të ndryshme atje”, ka përfunduar Mushkolaj.
Kujtojmë se Samiti i Berlinit është përfolur edhe më herët në media se do të ndikojë në heqjen e taksës nga ana e Kosovës. /Ballkani.info







