Mushkolaj: Nuk besoj se do të ketë koalicion LDK-VV, s’e duan të fortit e LDK-së

Pas dorëheqjes të Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, partitë që janë pjesë e koalicionit janë deklaruar të gatshme për zgjedhje. Njëjtë edhe paritë opozitare.

Sipas burimeve nga presidenca, zgjedhjet pritet të mbahen rreth fillimit të muajit shtator të këtij viti.

Ballkani.info ka kontaktuar me analistin e njohur politik, Imer Mushkolaj, i cili ka thënë se nuk priten shumë ndryshime nga këto zgjedhje.

“Partitë janë ato që janë dhe pak a shumë secilën prej tyre i kemi parë se si qeverisin, qoftë në nivel qëndror apo lokal, andaj edhe nuk ka shpresë për ndonjë ndryshim radikal. Nuk kisha pasur dëshirë që të mos ketë ndryshime, por gjithashtu nuk do të doja një qeveri si kjo e fundit, e cila ka shërbyer më shumë për akomodimin e interesave të ndryshme në funksion të partive politike dhe individëve të këtyre partive sesa në interes të qytetarëve”, ka thënë Mushkolaj.

I pyetur se cila parti mendon se do të jetë më e favorizuar në këto zgjedhje, Mushkolaj ka thënë se gjithçka varet edhe nga koalicionet e mundshme parazgjedhore.

“Varet krejtësisht prej koalicioneve parazgjedhore. Nëse do të ketë koalicione parazgjedhore, atëherë matematikat ndryshojnë krejtësisht, ndërsa në sondazhet aktuale dihet që LDK-ja ka më së shumti mbështetje”, ka thënë ai për Ballkani.info.

Mushkolaj ka folur edhe për mundësinë e koalicionit parazgjedhor mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, të cilit ka thënë se nuk i beson.

“Unë nuk i besoj këtij koalicioni, pra nuk besoj se do të ketë koalicion parazgjedhor Vetëvendosje-LDK, kjo mund të ndodh vetëm pas zgjedhjeve, jo pse nuk dëshiron VV-ja, por njerëz të rëndësishëm të LDK-së nuk e dëshirojnë një gjë të tillë, të cilët nuk e harrojnë të kaluarën e afërt, respektivisht çasjen e Vetëvendosjes ndaj LDK-së. Kështu që mendoj se paralajmërimet për koalicion parazgjedhor VV-LDK, më shumë bëhen për përfitime dhe poena politik”, ka thënë Mushkolaj për Ballkani.info.

Kujtojmë se Vetëvendosja dhe LDK-ja ishin përgatitur për rrëzimin e qeverisë para se Haradinaj të jepte dorëheqje, por nuk kishin pasur votat e mjaftueshme. /Ballkani.info/

loading…