Analisti

Mushkolaj: LDK-ja me qëndrimet e dykuptimshme për përfshirjen në dialog

Analistët politikë vazhdojnë të kritikojnë LDK-në, duke thënë se qëndrimet e saj dykuptimshme nuk mund të çojnë askund, për sa i përket pjesëmarrjes apo jo të në dialogun me Serbinë.

Së fundmi, Lidhja Demokratike e Kosovës parashtroi kritere dhe kushte të veçanta sipas së cilave, ajo do të mund të përfshihej eventualisht në kuadër të procesit të negociatave me Serbinë. Para së gjithash, LDK-ja, sipas zyrtarëve të saj, kërkon që Ekipi negociues të ketë një legjitimitet të plotë institucional e kushtetues në Kosovë dhe së dyti, që negociatat t’u përmbahen parimeve të vendeve të Quint-it, duke preferuar që aty garantuese të procesit të jenë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Imer Mushkolaj, analist, tha se LDK-ja dhe përfaqësuesit e saj politikë duhet të jenë të qartë dhe të tregojnë se duan apo jo që të marrin pjesë në Ekipin negociator.

“LDK-ja duhet të marrë pjesë në veprimet e nevojshme për t’i vendosur këto korniza të dialogut. Është shumë e lehtë të qëndrosh anash edhe të presësh që dikush tjetër t’i vendosë kornizat ose t’i japë kahe dialogut. Por, përgjegjësia e partive, në këtë rast edhe e LDK-së, është që të jetë pjesë aktive e procesit nëse përnjëmend dëshiron që të ndihmojë dialogun. Përndryshe, nëse nuk do të jetë pjesë e dialogut apo e Ekipit negociator, duhet ta bëjë të qartë si Lëvizja Vetëvendosje, që thotë se ‘ne nuk marrim pjesë në ekip’ dhe jemi kundër kësaj marrëveshjeje”, vlerësoi Mushkolaj.

Sidoqoftë, Kuvendi i Kosovës ka arritur ta krijojë një Ekip negociator, i përbërë nga përfaqësuesit e partive politike në pushtet, si dhe nga subjekti opozitar, Partia Socialdemokrate. Dy partitë tjera më të mëdha në opozitë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, kanë refuzuar të jenë pjesë e këtij ekipi.

Ekipi negociator pritet të shkojë në një takim në Bruksel, më 8 janar të vitit 2019. Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili në vitin 2011 kishte nisur si dialog për rregullimin e çështjeve teknike, për të vazhduar më pas si dialog politik, nuk ka dhënë rezultatet e pritura nga palët në dialog e as nga Bashkimi Evropian, si lehtësues i këtij procesi, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike në vend. /Rel