Murtezaj kritikon Osmanin: Po ndjek linjën e Kurtit, duhet të përfshihet më seriozisht në dialog

Anëtari i LDK-së, Valon Murtezaj, ka kritikuar presidenten e vendit, Vjosa Osmanin, për angazhimin e saj në dialogun me Serbinë. Murtezaj ka thënë se Osmani do të duhej të ishte shumë më aktive dhe më prezente në proces.

“Presidentja do të duhej të ishte më shumë aktive. Do të duhej të ishte shumë më prezente në këtë sensin e komunikimit me të gjitha palët”, ka thënë Murtezaj.

Ai tutje ka thënë se deri tani presidentja Osmani ka ndjekur linjën e Albin Kurtit sa i përket dialogut dhe sipas tij ajo do të duhej të përfshihej më seriozisht.

“Presidentja deri më tani ka shkuar në linjë nga qeveria aktuale. Duhet të përfshihet shumë më seriozisht”, ka shtuar tutje Murtezaj.

Ai ka thënë se deri tani s’janë parë alternativa e as opsione nga ana e Kosovë dhe potencon se një gjë e tillë po shkakton pasiguri tek qytetarët.

“S’po shohim alternativa dhe opsione nga pala e Kosovës. Kjo shkakton pasiguri, meqë s’dihet çfarë po i kërkohet Kosovës. Pse mos me na e heq këtë frikë, duke thënë se gjithçka është në rregull”, ka thënë ndër të tjera Murtezaj në T7.