Muriel tregon përse e refuzoi Milanin për Fiorentinën

Luis Muriel ka thënë se është shumë i lumtur që ndodhet në Florencë, derisa zbuloi se e kishte refuzuar Milanin për shkak të fjalës që tashmë ia kishte dhënë Fiorentinës.

Sulmuesi kolumbian mbërriti nga Sevilla në Florencë, ku do t’i kryejë testet mjekësore para se ta kompletojë kalimin në Fiorentinë.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu”, tha Muriel për gazetarët pasi arriti në Florencë, pas arritjes së marrëveshjes për huazim me opsion për t’u blerë përfundimisht nga Fiorentina.

Raportohej se ai e refuzoi ofertën e Milanit, sepse ia kishte dhënë fjalën drejtorit të Violas, Pantaleo Corvino.

“Tashmë pata folur me Fiorentinën dhe ia pata dhënë fjalën atyre, prandaj jam këtu. Jam i etur dhe mezi pres t’ia nisim. Rikthimi në Serie A është shumë i rëndësishëm për mua, sepse e njoh shumë mirë stilin e futbollit këtu”, shtoi ai.