Murati: Vendimi i Qeverisë Hoti për shtesat ishte në kohë fushate

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se po tentohet të manipulohet publiku lidhur me vendimin e qeverisë që ka të bëjë me shtesat për disa kategori.

Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Murati tha se Qeveria Kurti qysh në muajin e parë të punës ka marrë vendim për shtesat e personelit shëndetësor, policinë dhe pensionistët, duke theksuar se vendimi i qeverisë Hoti për shtesat ishte marrë në kohë fushate dhe me kohëzgjatje vetëm deri në muajin mars.

“Në vazhdimësi po tentohet të manipulohet publiku, por edhe përfituesit, që gjëja se qeveria paska ulë shtesa apo nuk po ja ndien për një kategori të caktuar, problemi është se ato shtesa kanë qenë vendim i marrë në fillim të këtij viti në kohë fushate zgjedhore dhe kanë qenë me afat deri në fund të muajit mars”, tha Murati.

Në debatin parlamentar ku po diskutohet mbi situatën e krijuar nga pandemia, Murati tha se janë përpjekur me gjithë kufizimet buxhetore që të gjejnë një mënyrë që të sigurojnë shtesa për personelin shëndetësor gjatë pandemisë.

“Kemi marrë vendim si qeveri në muajin e parë, pra në 30 ditshin e parë është marrë vendimi për shtesa për personelin shëndetësor, për shtesa për personelin e sigurisë pra policinë, për të bërë shtesat edhe për pensionistët, të cilët po ashtu po të mos ishte ai vendim, do të kishin marrë 90 euro pension, e pensionet me aftësi të kufizuara do t’i kishin marrë 75 euro, por këtë muaj për shkak të atij vendimi, ata kanë marrë nga 100”, tha Murati.

Murati, duke kritikuar qeveritë e kaluara me menaxhim, tha se ka qindra miliona fatura të papaguara që datojnë prej vitit 2013.