Murati ua lë fajin edhe qeverive të kaluara për rritjen e çmimeve të produkteve bazike

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se një pjesë të fajit për rritjen e çmimeve të produkteve bazike në vend, e kanë qeveritë e kaluara.

Sipas tij, qeveritë e kaluara nuk kanë mbështetur prodhuesit vendor.

Si arsye pë rritjen e çmimeve, ai e ka përmendur importin, derisa se ka përjashtuar mundësinë e abuzimeve.

“Është shqetësuese për ne si Qeveri ngritja e çmimeve, jemi duke e monitoruar situatën. Duhet pasur parasysh ky vrulli i hapjes së verës dhe largimi i energjisë së ripërtrishme, ka rritur çmimin e energjisë elektrike dhe ka rritur çmimin e këtyre produkteve që kanë nevojë për energji elektrike. Kjo rritje ka ardhur edhe si pasojë e importit, pasi shumica prej produkteve bazike importohen. Mund të ketë raste të abuzimeve por këto duhet t’i konfirmojë Inspektorati i Tregut.

Ka rritje të çmimeve edhe në tregjet globale. Mungesa e prodhimit vendor, lënia anash e prodhimit vendor për dy dekada dhe orientimi i qeverive të kaluara vetëm për konsum, e ka një pjesë të madhe të barrës se pse po ndodh kjo. Në vendet e tjera, çmimi i energjisë elektrike është 300 euro për megavat, ndërsa në vendin tonë është 30 euro, pasi KEK-u e prodhon për konsum të brendshëm dhe nuk ekspozohet nga çmimet globale. Ka pas shumë vende të tilla, por qeveritë e kaluara i kanë privatizuar duke i konsideruar si barrë”, ka thënë Murati në “Interaktiv” të KTV-së.

Ai ka deklaruar se Qeveria ka nsiur të ndërmarrë hapat e parë rreth kësaj çështje, derisa thotë se një punë e tillë nuk mund të rregullohet për një muaj apo një vit.

 “Çka mund të bëjë një Qeveri kur rritja e çmimeve vjen nga importi. Të rritet mbështetja për bujqit që të rrisim prodhimin vendor, që të mos jemi kaq të ekspozuar nga çmimet nga jashtë. Kjo nuk mund të bëhet as për një muaj, as për një vit, pasi kjo do kohë. Por ne kemi marrë hapat e parë që të kemi një zhvillim të prodhuesve vendor”, ka thënë Murati.