Murati: Rritje rekorde e ekonomisë prej 16.28% në tremujorin e dytë 2021

Shefi i kuletës së shtetit, Hekuran Murati, në konferencë për media tha se në tremujorin  e dytë të sivjetmë shënohet rritje rekorde e ekonomisë, prej  16.28 për qind.

Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të cilit i referohet ministri Murati tha se aktiviteti ekonomik ka shënuar rritje rekorde prej 16.28 për qind në periudhën e tremujorit të dytë të vitit 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Në anën tjetër, nëse krahasohet gjysma e parë e vitit 2021 me atë të vitit 2020, përkatësisht periudha Janar-Qershor, ekonomia vendore ka shënuar rritje prej 10.4%.

Sipas Muratit, aktiviteti ekonomik i këtij tremujori prej 1,916 miliard euro në terma real, paraqet rritje më të lartë se çdo tremujor tjetër i vitit të kaluar. Kjo rritje gjithashtu mbështet edhe nga shifrat e ofruara nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe Doganës së Kosovës.

Më tej Murati shton se qarkullimi i bizneseve është rrit rreth 50 për qind ndërsa eksporti u rrit prej 68 për qind.

“Më saktësisht, ATK raporton se tremujori i dytë i vitit 2021 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka rritje të qarkullimit të bizneseve prej 49.5%, kurse 20% rritje krahasuar me vitin 2019. Njëlloj, Dogana e Kosovës raporton rritje të ndjeshme të eksportit, si një ndër kontribuuesit kryesor të kësaj rritje ekonomike. Rritja e eksportit të tremujorit të dytë të vitit 2021 krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar, ka shënuar rritje prej 68%. Rritje edhe më e madhe e mallrave të eksportuara vërehet në krahasim me vitin 2019, ku vlera e rritjes është 93% ”, thotë Murati