Murati: Qytetarët duhet të kenë besim te produktet vendore
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka njoftuar për fillimin e punës rreth Konventës së Parë të Klubit të Prodhuesve të Kosovës.
Ai ka theksuar se pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100% ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, prodhimeve vendore duhet të ju ofrohet mbështetje më e madhe nga Qeveria, në mënyrë që qytetarët të fitojnë besimin në këto produkte dhe gjithashtu, ato të jenë të afta për tregun e jashtëm.
Murati ka thënë se ai vetë ka besim në produktet vendore dhe se nuk e kanë zhgënjyer deri më sot.
Postimi i plotë i Muratit:
Sot filloi punën Konventa e Parë e Klubit të Prodhuesve të Kosovës. Klubi ka bërë një punë të mirë në promovimin e prodhimeve tona dhe në presionin që politikat qeveritare të jenë më miqësore ndaj prodhuesve. Në situatën aktuale, kur prodhimeve nga Serbia i është vendosur taksa 100%, duhet një mobilizim edhe më i madh që prodhimet tona të fitojnë besimin tonë dhe njëkohësisht të bëhet të afta të konkurrojnë në tregun e jashtëm. Unë për vete kam besim në shumicën e prodhimeve tona. Kontribuoni të gjithë që duke blerë prodhime të Kosovës, të bojkotojmë prodhimet e Serbisë dhe të ndihmojmë që cilësia e prodhimeve tona të rritet. Unë besoj në prodhimet tona dhe deri më tani nuk jam zhgënjyer. Besoni edhe ju.